2013-09-10

Agron Llakaj është nga ata që kanë votuar ndryshimin politik dhe këtë e pohon në këtë intervistë për DITA. Artisti popullor i humorit nuk e paragjykon kabinetin e ri qeveritar, po pret ndryshime. Nuk i vjen mirë nëse ia kufizon karrierën artistike me imitimin e Sali Berishës. Kur e pyesim nëse e ka takuar ndonjëherë këtë të fundit shprehet se kjo ka ndodhur vetëm para dhjetë vitesh, ndërsa gjatë pushtetit ai nuk i ishte përgjigjur asnjëherë ftesave të tij për të shkuar në “Portokalli”. Nga ana tjetër, të njëjtën gjë bëri edhe Goni, në fund të dhjetorit  të vitit të kaluar , gjatë një pritje që organizoi kryeministri, ftesa i kishte ardhur edhe Llakajt, por ai e injoroi atë ftesë. “Unë aty isha 8 vjet, tani u kujtua Berisha të më ftonte”- shprehet Llakaj gjatë bisedës para se të nisim intervistën. Në këtë intervistë përgatituni të lexoni një Agron shpesh të ashpër dhe pa nota humori. Madje u bashkohet atyre shqiptarëve jo të paktë që mendojnë se për gjithë këtë katrahurë duhet ndëshkim. Si në Kroaci – thotë aktori i mirënjohur i humorit.

Z.Agron, vihet re që publiku e do humorin politik. Si mendoni se ndikon humori në politikë apo te njerëzit?

E duan shumë, e duan po aq sa duan politikën. Ne realisht jemi një popull tejet i politizuar, sa ndonjëherë na duket sikur jemi turmë, të pandërgjegjshëm për fatet tona. Shpesh njerëzit e pëlqejnë humorin politik me një lloj tifozllëku: A ç’ja bëre mirë atij… a ç’ja futet rendë atij…! Është mirë dhe e shëndetshme që të qeshësh me karikaturën artistike të çdo lloj politikani. Por roli dhe qëllimi i humorit politik nuk është vetëm karakteri argëtues. Publiku merr mesazh prej tij. Them se humori politik është thela në pjatën e humorit. Dhe nëse ai që imitohet qesh me krijimin, tregon që është fisnik. Përpara publikut, pikë fiton gjithmonë.

Humoristi në një farë mënyre duhet ta njohë me detaje politikën?

Humoristi po nuk e njohu politikën do të thotë që nuk është humorist. Unë e njoh shumë mirë politikën pasi pothuajse gjatë gjithë kohës kam shërbyer humor politik. E mira do ishte qe ne të jemi gjithmonë një zë i fuqishëm dhe jo bufonë të politikës, por kritikë dhe rebelë ndaj saj.

A ndikon humori që të rrisë ndjeshmërinë sociale? Psh, t’i bëjë njerëzit që të ngrihen ndaj një padrejtësie?

Për fat të keq, jo dhe këtë e ka treguar koha. Vetëm pak ditë më parë ishte rasti i karburantit ku njerëzve në çdo dhjetë mijë lekë karburant u vidhej një mijë lekë. Dëgjuat të ngrihej ndonjëri nga ata që marrin naftë dhe benzinë? Askush! Ne jemi një popull që flemë, pa nerv. Po thirri partia, në shesh i ke. Kur kanë bërë ndonjëherë ndonjë protestë arsimtarët për kushtet e punës?! Asnjëherë. Madje kur e pyetëm një qytetar se ç’mendim kishte për papunësinë, tha: “Unë jam vetë i katërt i papunë, me 40 mijë lekë të vjetra asistencë në muaj, por jam me Partinë Demokratike dhe rroftë Sali Berisha…” Aaaa, ka lezet! Ku është qytetari këtu?

Ju si artist, çfarë ju shqetëson në këtë realitet, thoni shpesh si ka mundësi që kjo gjë nuk ndryshoi këtu?

Jo, ka një gjë, tranzicioni mua më kapi 30-vjeçar. Unë nuk mund të mohoj ndryshimet që janë bërë, por unë do të thoja që, sa më pak turmë dhe sa më shumë qytetarë, aq më shpejt vendi ynë zhvillohet. Nëse ne do ishim më qytetarë edhe politika që drejton do ta kishte shumë të ëvshtirë të korruptohej dhe të sillej me Shqipërinë sikur është mall për t’u shitur në Pazar.  Madje, unë futem tek ata njerëz që nuk e kam aspiratë hyrjen në Evropë. Pse? Ne në Evropë jemi, të bëjmë shtëpinë tonë siç do na pëlqente ne, të bukur, të zhvilluar të qytetëruar, e shumë e shumë…ruar,…ruar e …ruar. Të jemi dinjitozë për veten tonë dhe pastaj do jetë Evropa që do vijë tek ne.

Ky rotacioni politik që ndodhi tani…?

I domosdoshëm dhe i mirëpritur.

Do ndryshojë gjë sipas jush?

Nuk mund të jem horoskopi i qeverisë së Edi Ramës. E kam votuar këtë lloj rotacioni me shumë dëshirë dhe ndryshimi më pëlqen shumë. Ashtu sikurse pas disa vitesh mund të votoj një alternativë tjetër nëse kjo nuk do të më pëlqejë. Katër vjeçarin e parë të qeverisë së Berishës e kam  pëlqyer për rezultatet, pavarësisht nga këndvështrimi oponent.  Shqipëria ka bërë ndryshime të mëdha, por edhe po kaq shumë është abuzuar është vjedhur, si në mall të babait. Ndryshimi do të fillojë kur dikush duhet të përgjigjet për abuzimet e vjedhjet dhe jo kur të fillojnë këta që erdhën në pushtet të shkruajnë emrin te milioneret e rinj. Kur të dëgjojmë lajme si ajo që ndodhi në Kroaci, atëherë do të na rritet besimi se Shqipëria po ndryshon.

Në Kroaci u arrestua kryeministri. Pra duhet të ketë ndëshkim sipas jush?

Po ju tregoj një histori për ta ilustruar: Në Bashkimin Sovjetik, pilotët më të zotë bënin një manovër për të futur avionin  e tyre në një trajektore të vështirë dhe kjo bëhej përpara Stalinit. Një nga këta pilotët, aq i zoti ishte saqë e futi poshtë një ure avionin luftarak qe ishte jashtë trajektores së fluturimit në një pjesë të ngushtë që nuk e bënte kush. Pra ai bëri një heroizëm, por nga ana tjetër shkeli rregullin. Dhe shteti i dha dy vlerësime. Për heroizimin që bëri u vlerësua me medaljen Heroi i Popullit, ndërsa për gabimin që bëri u dënua me gjashtë muaj burg. Po ta shihni ka një kontradiktë shumë të madhe. Atëherë, unë nuk kam asgjë, unë dua të ndërgjegjësohesh edhe ti edhe unë; ta falenderojmë atë njeriun që ishte ekzekutuesi i  rrugës së kombit apo i çdo lloj investimi tjetër në Shqipëri, por ama të na tregojë pak financat, si janë përdorur ato paret tona, ku shkuan? Është rruga më e shtrenjtë në botë që është ndërtuar! Ne si taksapagues, jo vetëm unë, por edhe fëmijët e fëmijëve të mi do të jenë borxhlinj. Kjo është një pjesë që duhet ta zgjojmë tek njerëzit, të jenë të ndërgjegjshëm për këto gjëra, se ndryshe nuk ndryshon asgjë

Ju mendoni se do të ndryshojë?

Dua te besoj, por nuk paragjykoj. Unë i uroj sukses qeverisë së re. Dyshime kam, ata lë të provojnë të kundërtën. Sa i përket korrupsionit dhe vjedhjeve nuk di pse s’më hiqen nga memoria vargjet e Kadaresë te poema ‘Komunistet’…Që të përmbysin ty,duhet të përmbysin gjithë këtë tokë të lashtë dhe të rëndë, të ngrenë nga balta dhe të rivrasin të rënët.

Ju jeni njeri që bëni kompromise?

Unë kompromise bëj se nuk jam djalli, por kompromis me politikë të tillë nuk bëj.

Çfarë do të ndodhë me personazhin e Berishës tani që ai iku?

Do vazhdoj patjetër deri në momentin që ai do të jetë pjesë reale dhe e investuar në tregun politik shqiptar. Nëse  Berisha do të dilte në pension edhe “Berisha” im do të dilte në pension. Por të gjithë e dimë që ai është kryetari “de facto” i Partisë Demokratike. Nuk mund të kuptohet PD-ja pa Sali Berishën, sepse në këtë frymë është investuar aty. Këta kanë ndërtuar një emër që pa këtë emër nuk bëhet. Në fakt, duhet të dilnin emra të rinj, boll më me këtë kultin e individit. Ka djem dhe vajza plot të talentuar… Por, eeh sa kohe duhet…

Po për ata që thonë se ju ka bërë të famshëm Berisha në njëfarë mënyre?

Mua të famshëm më ka bërë humori im, puna dhe pasioni im për profesionin. Janë qindra personazhe që kam realizuar në skenë dhe ekran që e kanë rritur fytyrën time para publikut, shumë personazhe dhe karaktere si Xha Temja apo Aneja e shumë e shumë që përbejnë arkivën time në skenë, por kam imituar qe nga i madhi Pjetër Arbnori, Safet Zhulali,Tritan Shehu, Ilir Meta, Rexhep Mejdani, Alfred Moisiu, Spartak Ngjela etj. Imitimi i Berishës vërtet ka qenë i veçantë edhe për shkak të forcës së emrit te tij në politikë por në radhë të parë i ka bërë nder atij vetë, dhe jo mua. Madje dhe ai vetë do ta vuaj nëse unë nuk do ta kem në galerinë e personazheve në këtë sezon. A mund t’ia prish unë atij! Do të thonë njerëzit: pse s’po e imiton më Berisha , Agronin?! (qesh)

Spektakli i humorit Al Pazar që ju drejtoni aktualisht ju solli në një tjetër formë përpara publikut. Pse kjo zgjedhje?

Ah, sa mirë që u ktheve këtu. Qëllimi im që në ideimin e këtij shou-humori ishte të hynim në familjet shqiptare. Të ishte një spektakël familjar dhe mendoj se këtë e kemi arritur. Gjithmonë kam besuar se gjëja më e madhe dhe më e rëndësishme për çdo komb është familja. Siç ju thashë më lart, koha ka treguar shpesh që ne jemi tifoza partish. “Al-Pazar” nuk është vetëm një investim artistik, por edhe një investim qytetar. Kjo është sfida reale.

Ju mbetët të kënaqur nga ky vit i “Al –Pazarit”?

Absolutisht të kënaqur. Kam moralin tim artistik, unë eci në shinat e mia dhe dua që të jem gjithmonë i pari, ky është “Al-Pazari”. Kam respekt për vagonët, por e rëndësishme është të jesh lokomotive, o tërheq ose shtyn. Unë luftën time artistike e kam me veten nuk e kam me kënd. Mund të merret edhe si mendjemadhësi, por realisht kështu është. Ne dhamë një shije tjetër dhe kemi ardhur duke u rritur. Jemi një skuadër në rritje profesionale dhe që e duam shumë profesionin që kemi, me Behar Merën dhe Rudina Dembacaj si dhe me aktorë të tjerë me të rinj që po rriten në “Al-Pazar”, si dhe me regjisorin Arjan Çuliqi, por dhe bashkëpunimi më shkrimtarët tanë të humorit e ka bërë shumë të pëlqyer këtë shou.

Dhe realiteti shqiptar vazhdon të ofrojë material, apo jo?

Realiteti shqiptar gjithmonë na ka ofruar material. Çfarëdolloj arti nuk mund të jetë i gjithi mbi fantazinë krijuese. Të gjithë në një farë mënyrë përtypim atë që ndodh. Shko në “Pazar”, çfarë nuk gjen, e rëndësishme është si ta servirësh. Çështje “kuzhinieresh” pastaj.

Kur fillon “Al Pazari” i ri dhe çfarë do të sjell të re?

Ne fillojmë në 5 tetor. Të reja? Çfarë të reja do të sjell Shqipëria do të sjell “Al-Pazari”. Vetë jeta e shqiptarëve është një “Pazar”, gjithë industria e politikës po ashtu është ndërtuar nga pazaret. Shqipëria reale në trajtën komike të saj, me të gjitha problemet do te jetë në ekranin e “Vizion Plus” çdo të shtunën “Al Pazar.

 

Pushime në Shqipëri? “Nuk mundem, turizmi ynë, një rrumpallë mizerabël”

Pika e tij e dobët është mbesa 6 vjeç e gjysmë. Ajo që nga momenti kur ka lindur është rritur me gjyshërit. Këto ditë ishte larguar me prindërit për disa ditë pushim. Por këto duket se ishin ditët me të shurdhëta për Gonin. Edhe kur e takojmë e gjejmë duke folur me mbesën në telefon. Nga ana tjetër, në lëkurë ka ende ngjyrën që ka marr nga pushimet. Vetë Agroni ka pushuar jashtë Shqipërisë: “Më pëlqen shumë që të vij një moment dhe t’i bëj pushimet në Shqipëri, por më largon ky realitet turistik që gjithmonë i bëjnë reklamë si i virgjër, po është aq i zhvirgjëruar sa nuk ka ku të shkojë. Një rrumpallhane që të mërzit. Pse nevojë për dum-dume kam unë? E gjithë infrastruktura nuk ofron asgjë, një mizerabilitet dhe asgjë më shumë…”

Etiketat: agron llakaj sali berisha, entela resuli, gazeta dita, interviste llakaj

Show more