2013-11-27

Doda: “Kishit faj kur e latë Sokolin të vetëm në përpjekjen e tij për të ndryshuar të djathtën”. Cara: “Sokoli kishte një projekt të vetin, kishte një qëndrim ndryshe ndaj politikës”

Pas vdekjes së deputetit Olldashi, u fol se shumë shpejt ai do të publikonte projektin e tij për reformimin e Partisë Demokratike. Por, pavarësisht ndarjes nga jeta të deputetit Sokol Olldashi, të tjerë deputetë të së djathtës kërkojnë ndryshimin e Partisë Demokratike. Në një fjalim të fortë të mbajtur në parlament, i papritur edhe për shumë nga deputetët mbështetës të rrymës Basha dhe të ish-kryetarit Sali Berisha, deputetja demokrate Mesila Doda akuzon indirekt deputetët e grupit parlamentar demokrat dhe drejtuesit e kësaj force se deputeti Sokol Olldashi u la vetëm në përpjekjen e tij për të ndryshuar të djathtët. Deputetja Doda e cila njihet si një nga mbështetëset kryesore të deputetit Olldashi në garën e tij përballë Lulzim Bashës, u shpreh se në jo pak raste deputeti Olldashi, jo vetëm që u la vetëm, por edhe u godit.

“Askush nga ne, askush në këtë parlament, nuk do mbushë dot kurrë boshllëkun e lënë prej tij. Por idealet e një historie të re për Shqipërinë, ëndrrën e Sokolit tonë kemi detyrën dhe të drejtën ta mbajmë në jetë. Mjaft më hipokrizi perbeniste, shuka me baltë që ja hedhim fytyrës së tjetrit kur do duhet në fillim të pastrojmë tonën. Unë kisha faj! Unë kisha faj ato dhjetëra, ato qindra herë kur tentova të isha politikane e mirë, oratore e shkëlqyer dhe harrova që u afrova në politikë, jo se më duhej një rrogë, e as se më duhej dashamirësia e eprorëve, por e doja politikën, që të sillja ndryshimin, të mundësoja një botë më të mirë. Ju kishit Faj! Kishit Faj kur e latë Sokolin të vetëm në përpjekjen e tij titanike e solitare për të ndryshuar të djathtën shqiptare, për të bërë një forcë politike më militantë që afrohen nga zemra e jo nga xhepi pranë politikës. Kishit të gjithë faj se e latë vetëm, madje shumë herë dhe e qëlluat dhe e përbaltët dhe e bëtë të ndjehej fajtor pa faj. Sot askush nuk bën dot Pilatin!!!”, theksoi në seancë plenare deputetja Doda, e cila është një prej studenteve të lëvizjes Dhjetori së bashku me Sokol Olldashin, Astrit Patozin etj. Deputetja Doda u shpreh se të gjithë duhet t’ia nisin me një “mea culpa” dhe kërkoi prej deputetëve dhe anëtarëve të së djathtës që të riformësojnë fort një ideologji të së djathtës larg nga zgjidhjet pragmatiste dhe rreth vlerave tradicionale të saj. “Ka ende vite deri në fund të kësaj legjislature. Deri në fund të jetës sonë do duhet të përballemi me sfida që nuk i mendonim kurrë se do i hasnim përballë. Por pasionet e këtij burri të ri e të vjetër, Liria, e Vërteta, Partia Demokratike e Shqipërisë, do të duhet të mbijetojnë të gjithë… ne do duhet ta nisim me një “mea culpa”, dhe të kuptojmë çfarë do duhet të ndryshojmë në jetën tonë, në politikën tonë, në mendjen dhe në shpirtin tonë. Do duhet të ndërmarrim një aksion të ri për shoqërinë shqiptare në mënyrë që të kultivojmë vlera e jo kulte, do duhet të riformësojmë fort një ideologji të së djathtës larg nga zgjidhjet pragmatiste dhe rreth vlerave tradicionale te saj, dhe më së fundi do duhet të bëjmë një betejë opozitare të animuar e të inspiruar, betejë në dobi të më të vegjëlve, votuesve tanë, të sotëm dhe atyre që do të vijnë, thjesht do duhet që të gjithë të jemi nga pak SOKOL në këtë parlament!”, deklaroi Doda.

 Deputeti Igli Cara

Deputeti Igli Cara, i cili ishte një nga njerëzit e fundit me të cilët deputeti i ndjerë ka komunikuar para vdekjes, tha se Olldashi do t’u mungojë të gjithëve, ndërsa foli edhe për projektin e Olldashit për të djathtën “Miku ynë do t’i mungojë vendit anembanë, që e donin në çdo cep të Shqipërisë, do t’i mungojë PD-së, Basha e Berisha kanë humbur një bashkëpunëtor, më të mirin e 20 viteve, e djathta humbi një nga zërat më të mirë që e përfaqësonte. Do t’i mungojë Ruçit, Metës, Ramës për mendjen e mprehtë dhe debatin. Koli do tu mungojë të gjithë atyre që duhet t’i kërkonin ndjesë dhe të gjithë atyre që mendojnë se pragmatizmi është mënyrë jetese. Koli, miku ynë do na mungojë shumë në këtë sallë, do na mungojë fjala e tij si gazetar, dhe aftësia si politikan. Sot dua të falënderoj gjithë ata që të votuan për 4 mandate dhe që të besuan”, tha Cara. Ai komentoi edhe opinionet në media në lidhje me një projekt politik ndryshe të Olldashit, të cilin nuk mundi ta bënte publik, për shkak të ndarjes së beftë nga jeta. “Dua të ndalem në atë që shumë kush ka folur e shkruar, se Sokoli kishte një projekt të vetin politik, dhe ishin të shumtë ata që e dinin se ai gjatë gjithë kohës ka pasur projekt politik. Në muajin korrik të këtij viti e tregoi, e bëri dhe pak ditë më parë duke i treguar gjithë politikës se ka ardhur koha për një qëndrim ndryshe ndaj votës dhe politikës, politika ka nevojë të konceptohet dhe të rimodelohet kjo që Patozi e quajtur fenomen dhe unë do e quaj misionar. Theksoj në fund, se e vërtetë, Olldashi e kishte projektin e tij, që ishte dhe mbetet PD e Shqipërisë”, tha deputeti Cara.





Artikulli Doda: Olldashi u la vetëm, madje u godit u shfaq per te paren here ne Lajme Online

Show more